Organizimi sindikal
Sindikata është një organizatë e pavarur dhe demokratike e punëtorëve në të cilën ata anëtarësohen vullnetarisht për shkak të përfaqësimit, avancimit dhe mbrojtjes së interesave të tyre ekonomike, sociale dhe interesave të tjera individuale dhe kolektive.
Sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Punës (LMP), punëtorët kanë të drejtë, sipas zgjedhjes së tyre të lirë, të themelojnë sindikatë pa ndonjë aprovim paraprak dhe të anëtarësohen në të sipas kushteve të përcaktuara në statutin ose rregullat e asaj sindikate.
Përfaqësuesi i sindikatës
Pse duhet që punëtorët të anëtarësohen nëpër sindikata?
Për shkak të realizimit të të drejtave të tyre ekonomike dhe sociale, qytetarët kanë të drejtë të krijojnë sindikatë dhe të anëtarësohen në një sindikatë sipas zgjedhjes së tyre.
Punëtori nuk është aq i fuqishëm sa të negociojë vetë për të drejta më të mëdha. Një numër i vogël i punëtorëve janë të informuar për të drejtat e tyre të punës, e cila është arsyeja kryesore se pse ata nuk dijnë të kërkojnë ndonjë të drejtë si dhe nuk dijnë të mbrohen. Nga këtu buron nevoja për tu anëtarësuar në sindikatë.
Punëtorët që janë anëtarë në një sindikatë kanë mundësinë të marrin të gjitha informatat e duhura nga shërbimet profesionale të sindikatave dhe të gëzojnë mbrojtje adekuate në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të punës.
Anëtarëve të saj, sindikata u siguron ndihmë dhe këshilla juridike falas në ushtrimin e të drejtave të marrëdhënies së punës, organizon seminare edukative, punëtori dhe trajnime për të përforcuar kapacitetet e saj dhe për të rritur ndergjegjësimin midis anëtarëve të saj.
Sindikata kërkon që të gjithë punëtorëve tu sigurohet punë dinjitoze, të regjistrohen në mënyrën e duhur, të marrin rrogë të rregullt, tu paguhet kompensim për punën jashtë orarit të punës dhe për punën e natës, përdorimin e plotë të së drejtës për pushim vjetor në përputhje me ligjin, pagesën e kontributeve të punës.
Sindikata është e vetmja që i qëndron pas respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, për shtet ligjor, demokraci dhe treg të lirë, dhe lufton gjithmonë kundër shkeljes së të drejtave të punëtorëve.
Sindikata gjithashtu lufton për respektimin e personalitetit dhe integritetit të çdo punëtori, lufton kundër keqpërdorimit të punës, kundër punës së padeklaruar, korrupsionit, diskriminimit dhe dhunës psikologjike ndaj punëtorëve.
Vetëm të bashkuar në një sindikatë, punëtorët kanë të drejtën e negociatave kolektive për rregullimin e kushteve të punësimit, punës si dhe të drejtave të tjera të marrëdhënies së punës; e drejta për grevë dhe për të ndërmarrë të gjitha format e veprimit sindikal.
Nivelet e debatimeve kolektive dhe llojet e marrëveshjeve kolektive
Debatimi kolektiv ne Republikën e Maqedonisë së Veriut zhvillohet në tre nivele : në nivel të Republikës, gjatë të cilit arrihet Marrëveshje e Përgjithshme Kolektive; në nivelin e degës, respektivisht departament, gjatë të cilit arrihet Marrëveshje e Posaçme Kolektive dhe në nivelin e punëdhënësit, gjatë të cilit arrihet Marrëveshje Individuale Kolektive.
Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive
Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive arrihet për sektorin privat në lëminë e ekonomisë dhe për sektorin publik.
Karakteristikë e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive është se zbatohet në mënyrë direkte dhe është i obligueshëm për të gjithë punëdhënësit dhe punëtorët në sektorin privat dhe publik. Ekzistojnë dy lloje të Marrëveshjeve të Përgjithshme Kolektive: Marrëveshje e Përgjithshme Kolektive për sektorin privat në ekonomi, e nënshkruar në mes LSM dhe ОРМ, dhe Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive për sektorin publik të Republikës së Maqedonisë të nënshkruar në mes КСС dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Marrëveshja e Posaçme Kolektive
Marrëveshja e Posaçme Kolektive (Marrëveshja Kolektive në nivel të degës, respektivisht departament) nuk ka zbatim direkt dhe të detyrueshëm për të gjithë punëdhënësit dhe punëtorët e sektorit privat dhe publik. Marrëveshja e Posaçme Kolektive i dedikohet anëtarëve të shoqatave (Sindikatave dhe Shoqatave të punëdhënësve), të cilët e kanë nënshkruar Marrëveshjen Kolektive dhe të personave që i janë bashkangjitur më vonë apo jan bërë anëtarë të shoqatave që i janë bashkuar Marrëveshjes Kolektive. Në Republikën e Maqedonisë për momentin ekzistojnë rreth 20 Marrëveshje të Posaçme Kolektive në fuqi. Pjesa më e madhe e Marrëveshjeve të Posaçme Kolektive janë arritur në sektorin privat në lëminë e ekonomisë dhe nënshkrues të tyre janë sindikatat e degëve të LSM dhe shoqatave të punëdhënësve në përbërje të ОРМ. Për shembull: Marrëveshja Kolektive për industrinë e tekstilit në Republikën e Maqedonisë (e nënshkruar në mes Sindikatës së punëtorëve të tekstilit, industrisë së lëkurës dhe këpucëve të RM dhe Shoqatës së industrisë së tekstilit të RM); Marrëveshja Kolektive për të punësuarit e ekonomisë së duhanit (e nënshkruar në mes të Sindikatës AGRO dhe Shoqatës së ekonomisë së duhanit); Marrëveshja Kolektive për industrinë kimike (e nënshkruar në mes СХНМ dhe Shoqatës së industrisë kimike) e tjerë. Marrëveshje të Posaçme Kolektive janë arritur edhe në sektorin publik. Marrëveshje të posaçme Kolektive, ku si palë në marrëveshje paraqiten sindikatat e degëve në përbërje të LSM janë: Marrëveshja Kolektive e Ministrisë së Punëve të Brendshme (e nënshkruar në mes SPM dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme); Marrëveshja Kolektive për veprimtari të shëndetësisë në RM (e nënshkruar në mes Sindikatës së pavarur për shëndetësi, farmaci dhe mbrojtje sociale dhe Ministrisë së Shëndetësisë së RM) e të tjerë. Marrëveshje të Posaçme Kolektive ku si palë paraqiten degët e sindikatave në përbërje të КСС, janë: Marrëveshja Kolektive për arsimin fillor (e nënshkruar në mes SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit të RM); Marrëveshja Kolektive për arsimin e mesëm (e nënshkruar në mes SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit të RM) e të tjerë
Marrëveshja Individuale Kolektive
Marrëveshja Individuale Kolektive e arritur në nivel të punëdhënësit zbatohet për çdo punëtor te punëdhënësi, pa marrë parasysh se a janë apo nuk janë anëtarë të Sindikatës ose të Sindikatës që nënshkruhet te Marrëveshja Kolektive.
Palët e debatimit kolektiv
Sipas Ligjit për Marrëdhënie të Punës, Marrëveshje Kolektive arrijnë punëdhënësi ose shoqata përfaqësuese e punëdhënësve dhe sindikata përfaqësuese. Përfaqësimi i partnerëve social në Republikën e Maqedonisë së Veriut përcaktohet në më shumë nivele. Ai mund të përcaktohet për: territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut–për shkak të pjesëmarrjes në organe trepalëshe për partneritet social dhe delegacione trepalëshe të partnerëve social; për sektorin publik – për shkak të pjesëmarrjes në debatin kolektiv në nivel të sektorit publik; për sektorin privat – për shkak të pjesëmarrjes në debatin kolektiv në nivel të sektorit privat nga lëmia e ekonomisë; për degë, respektivisht departament– për shkak të pjesëmarrjes në debatin kolektiv në nivel të degës, respektivisht departament dhe për punëdhënës – për shkak të pjesëmarrjes në debatin kolektiv në nivel të punëdhënësit.
Lëndë e debatit kolektiv
Me Marrëveshje Kolektive rregullohen të drejtat dhe obligimet e palëve në marrëveshje të cilët e kanë arritur atë marrëveshje, ndërsa marrëveshja kolektive mund të përmbajë edhe rregulla juridike, me të cilat rregullohen nënshkrimi, përmbajtja dhe ndërprerja e marrëdhënieve të punës dhe çështje të tjera lidhur me marrëdhëniet e punës ose në lidhje me marrëdhëniet e punës. Kështu, me Marrëveshje Kolektive mund të rregullohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve të punës (lidhja e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe obligimet në marrëdhënien e punës – kushtet e punës, ndërprerja e marrëdhënies së punës). Më shpesh lëndë e debatimit kolektiv janë kushtet e punës (pagat, kompensimet tjera materiale, orari i punës, pushimet, mungesat dhe ngjajshëm).
Raporti në mes marrëveshjeve kolektive dhe burimeve tjera juridike
Në „shkallën kierarkike “ të burimeve të së drejtës së punës, burimet më të ulta nuk guxojnë të jenë në kundërshtim me ato më të lartat. Ata mund të parashohin më shumë të drejta për punëtorët, por e ndaluar është të parashohin më pak të drejta nga ato të drejta që punëtorëve u janë garantuar me burimin më të lartë juridik. I njëjti raport vendoset edhe në mes llojeve të ndryshme të marrëveshjeve kolektive mes vete. Simetri identike ishte dashur të vendoset në mes marrëveshjeve kolektive dhe marrëveshjeve (individuale) për punësim, me të cilët lidhet ndonjë marrëdhënie e veçantë e punës me ndonjë punëtor.
Nëse ekziston rast kur të drejta të caktuara të rregulluara me burim më të ulët juridik (për shembull: kontrata e punës ose Marrëveshje Kolektive) janë më të vogla, respektivisht në kundërshtim me të drejtat identike të rregulluara me burime më të larta (për shembull: marrëveshje më e lartë kolektive ose ligj), atëherë të drejtat e tilla nuk vlejnë dhe zbatohen të drejtat e përcaktuara në burimin e afërt më të lartë.
E drejta për grevë është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas Kushtetutës, ligji mund të kufizojë kushtet për të ushtruar të drejtën e grevës në forcat e armatosura, policinë dhe organet administrative.
Ligji kryesor që rregullon të drejtën për grevë është Ligji për Marrëdhëniet e Punës. Përveç Ligjit për Marrëdhëniet e Punës ushtrimi i së drejtës për grevë rregullohet edhe nga ligje të tjera të veçanta ( Ligji për Zgjidhjen Paqësore të Mosmarrëveshjeve të Punës, ligji për të Punësuarit në sektorin Publik, Ligji për Institucionet, Ligji për Ndërmarrjet Publike, Ligji për Kujdesin Shëndetësor, Ligji për Arsimin Fillor, Ligji për Arsimin e Mesëm etj.), si dhe me marrëveshjet kolektive.
Subjektet e grevës
Subjektet e grevës mund të jenë aktive dhe pasive. Subjekti aktiv është pala që organizon dhe inicon grevën. Sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, të drejtën për të thirrur grevë e kanë sindikata dhe shoqatat e saj në një nivel më të lartë. Një grevë e organizuar dhe inicuar nga një grup punëtorësh sindikal të paorganizuar do të konsiderohet si grevë e paligjshme. Subjekti pasiv është pala kundër së cilës drejtohet greva, dhe kjo palë është punëdhënësi, përkatësisht shoqata e punëdhënësve në nivel më të lartë. Greva jo gjithmonë duhet t’i drejtohet punëdhënësit primar (punëdhënësi që ka shkaktuar organizimin e grevës), por edhe punëdhënësit dytësor (punëdhënësi tek i cili ka ndodhur greva në mbështetje të grevës fillestare). Në këtë situatë, bëhet fjalë për të ashtuquajturën grevë solidariteti. Në cilindo lloj greve, organizimi i grevës duhet të paralajmërohet tek punëdhënësi me shkrim, gjegjësisht shoqatës së punëdhënësve kundër të cilës drejtohet, dhe greva e solidaritetit tek punëdhënësi tek i cili organizohet greva .
Arsyet (bazat ligjore) për organizimin e një greve
Greva është një nga mekanizmat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kolektive të punës. Një mosmarrëveshje kolektive e punës është mosmarrëveshja që lind midis sindikatës (ose shoqatave të saj në nivel më të lartë) dhe punëdhënësit (ose shoqatave të tij të nivelit më të lartë) lidhur me përfundimin, ndryshimin ose plotësimin e një marrëveshjeje kolektive (e ashtuquajtur mosmarrëveshje kolektive e punës për shkaqe interesi) pra lidhur me interpretimin dhe zbatimin e marrëveshjes kolektive (e ashtuquajtur marrëveshje ligjore kolektive e punës). E drejta për grevë në RMV mund të zbatohet në raste të interesit, por edhe në rastet e mosmarrëveshjeve ligjore kolektive të punës.
Kriteret dhe procedura për organizimin e grevës
Ekzistojnë disa kritere që i paraprijnë grevës së punëtorëve. Këtu bëjnë pjesë: Lajmërimi me shkrim i grevës, Rregullat për punët që nuk guxojnë të ndërpriten gjatë grevës dhe Procedura e pajtimit. Të gjitha veprimet e mësipërme tregojnë se e drejta për grevë është një e drejtë që përdoret si mjet i fundit nëse palët e mosmarrëveshjes dështojnë të zgjidhin çështjet e diskutueshme paraprakisht.
Ligji për Marrëdhëniet e Punës nuk rregullon pjesën fillestare të procedurës së organizimit të një greve, e cila përfshin vendimin për të hyrë në grevë dhe mënyrën e shqiptimit të grevës nga ana e anëtarëve të sindikatës. Këto çështje zakonisht rregullohen nga aktet e brendshme (Rregullat e grevës) të sindikatës, por ato nuk ndikojnë në ligjshmërinë ose jashtligjshmërinë e grevës.
Njoftimi me shkrim i grevës
Greva duhet t’i njoftohet me shkrim punëdhënësit, ose shoqatës së punëdhënësve kundër së cilës drejtohet greva, ndërsa greva e solidaritetit tek punëdhënësi tek i cili organizohet greva. Njoftimi me shkrim i grevës është një obligim i detyrueshëm i sindikatës, mosrespektimi i të cilit bën grevën të paligjshme. Elementet thelbësore që duhet t’i përmbajë çdo letër njoftimi për grevë janë: arsyet e grevës, vendi i mbajtjes së grevës dhe dita dhe ora e fillimit të grevës.
Rregullat për punët që nuk guxojnë të ndërpriten gjatë grevёs
Gjatë periudhës së grevës, prodhimi, mirëmbajtja dhe punët e domosdoshme nuk guxojnë të ndërpriten. Punët e mirëmbajtjes dhe prodhimit janë punët të cilat nuk duhet të ndërpriten gjatë kohës së grevës, me qëllim që të mundësohet rifillimi i punës mbas përfundimit të grevës. Punët e domosdoshme janë punët që janë të nevojshme për të parandaluar rrezikun e jetës, sigurisë personale ose shëndetit të qytetarëve. Rregullat për punët që nuk guxojnë të ndërpriten gjatë një greve caktojnë dispozitat për punët dhe numrin e punëtorëve që duhet të punojnë gjatë një greve. Sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, rregullat për punët që nuk guxojnë të ndërpriten gjatë një greve miratohen me propozim të punëdhënësit, por në marrëveshje me sindikatën. Nëse sindikata dhe punëdhënësi nuk arrijnë marrëveshje brenda 15 ditëve nga dita e paraqitjes së propozimit të punëdhënësit tek sindikata për përcaktimin e punëve që nuk duhet të ndërpriten gjatë grevës, punëdhënësi ose sindikata mund të kërkojë brenda 15 ditëve të ardhshme që për ato çështje të vendosë arbitrazhi.
Procedura e pajtimit
Detyrimi për të kryer procedurë pajtimi para fillimit të grevës është obligim ligjor të cilit i nënshtrohen palët gjatë një mosmarrëveshjeje kolektive. Sipas Ligjit të Punës, greva nuk guxon të fillojë para përfundimit të prcedurës së pajtimit. Detyrimi për pajtim nuk duhet ta kufizojë të drejtën e grevës kur një procedurë e tillë parashihet në ligj, pra para fillimit të një procedure tjetër për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjes të dakorduar nga palët.
Në rast të një greve ose mosmarrëveshjeje në aktivitete me interes të përgjithshëm ose në aktivitete në të cilat ndërprerja e punës mund të rrezikojë jetën ose shëndetin e njerëzve ose të shkaktojë dëme në një shkallë më të madhe, palët e mosmarrëveshjes obligohen që menjëherë të procedojnë me zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes kolektive. Procedura për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjes kolektive përfundon brenda dhjetë ditëve nga dita e paraqitjes së propozimit për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes.
Përgjegjësia për organizim ose pjesëmarrje në grevë të paligjshme
Ligji për Marrëdhëniet e Punës parasheh që organizimi ose pjesëmarrja në grevë në përputhje me dispozitat e këtij Ligji dhe marrëveshjes kolektive nuk paraqet shkelje të marrëveshjes së punës. Sidoqoftë, organizimi dhe pjesëmarrja në grevë, e cila inicohet kundër ligjit (grevë e paligjshme), shkakton përgjegjësi për organizatorin (sindikatën), por edhe për pjesëmarrësit në grevë (punëtorët).
Kur bëhet fjalë për grevë të paligjshme, punëdhënësi ose shoqata e punëdhënësve mund të kërkojnë ndalimin e organizimit dhe zbatimit të grevës nga gjykata kompetente. Gjithashtu, punëdhënësi mund të kërkojë edhe kompensim për dëmin e pësuar për shkak të grevës që nuk është organizuar në përputhje me ligjin. Vendimin për ndalim të grevës e merr gjykata kompetente për mosmarrëveshje pune e shkallës së parë, në procedurë urgjente. Organizimi ose pjesëmarrja në grevë të paligjshme mund të nënkuptojë edhe pëfundimin e kontratës së punës së punëtorit, pra ndalesën e marrëdhënies së punës. Nëse i punësuari gjatë mbajtjes së grevës ka bërë ndonjë shkelje tjetër serioze të kontratës së punës, sipas LMP, mund të pushohet nga puna.
Të drejtat e të punësuarve gjatë një greve
Në gjendje greve, kontratat e të punësuarve janë të suspenduara. Njëri nga ndryshimet thelbësore lidhur me të drejtat e marrëdhënies së punës është ulja e të drejtës së rrogës. LMP përcakton që për punëtorët të cilët janë pjesëmarrës në grevë, gjatë pjesëmarrjes në grevë, punëdhënësi është i detyruar të paguajë kontributet e rrogës të përcatuara me rregullore të veçanta të bazës më të ulët për pagesën e kontributeve. Pjesa tjetër e rrogës neto të punëtorit mund të plotësohet në dy mënyra. Mënyra e parë, e përshkruar nga Ligji i Punës, i referohet mundësisë të sigurimit të kompensimit të rrogës neto nga organizatori i grevës, zakonisht në përputhje me rregullat e fondeve të solidaritetit të sindikatës, nëse ekzistojnë të tilla. Mënyra e dytë, zakonisht buron nga marrëveshjet kolektive. Kështu, sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin privat në fushën e ekonomisë gjatë një greve të organizuar për shkak të shkeljes së të drejtave të punëtorëve të përcaktuara me ligj, marrëveshjes kolektive dhe kontratës së punës, punëdhënësi duhet t’i paguajë punëtorit kompensim në shumën prej 60 % nga rroga bazë e punëtorit për një periudhë prejt 5 ditësh pune. Kompensimi i rrogës paguhet vetëm nëse arsyet e organizimit të grevës janë: tre rroga të papaguara; kontribute dhe tarifa të papaguara; mosnënshkrimi i marrëveshjes kolektive dhe mossigurimi i kushteve për punë. Punëtori do të fitojë të drejtën e kompensimit të rrogës vetëm atëherë kur legjitimiteti i grevës është në përputhje me aktin e sindikatës përkatëse, pra nëse fiton legjitimitet nga sindikata përkatëse.
Fushata për të drejtat e punëtorëve realizohet nga
Këshilli Ekonomik-Shoqëror me mbështetje nga Përforcimi I Dialogut Social.
Projekti financohet nga Bashkimi Evropian, dhe zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.
Përmbajtja është përgjegjësi e projektit Përforcim I Dialogut Shoqëror,
dhe nuk pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian