Orari i punës

Mundi im,
Të drejtat e mia

Orari i punës

Orari i punës është koha në të cilën punëtori punon dhe kryen obligimet dhe detyrat e tij në përputhje me ligjin, marrëveshjen kolektive dhe kontratën e punës.

Ligji për Marrëdhëniet e Punës krijon mekanizëm ligjor për kufizimin e kohëzgjatjes së orarit normal të punës (pra orarit të plotë), si dhe punës jashtë orarit të punës.

Orar i plotë i punës

Ligji për punë nuk përcakton kohëzgjatjen reale të punës me orar të plotë, por vetëm kufirin më të lartë që kufizon kohëzgjatjen e tij normale. Prandaj, orari i plotë i punës nuk duhet të jetë me shumë se 40 orë në javë. Kjo do të thotë që në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kufizimi i kohëzgjatjes së orarit të plotë të punës bëhet në baza javore, dhe jo në baza ditore (8 orë në ditë).

Sipas ligjit, pra me marrëveshje kolektive, mund të përcaktohet si orar pune i plotë edhe orari i punës me më pak se 40 orë në javë, por jo më pak se 36 orë në javë. Brenda kësaj “shkalle të rrëshqitëse” (36 deri në 40 orë), ligjvënësi u lë hapësirë partnerëve social për të përcaktuar numrin e orëve të punës, të cilat konsiderohen si orar i plotë pune. Përjashtim i vetëm nga ky rregull është ulja e orarit të plotë të punës nën pragun minimal (36 orësh), por vetëm në rastet e përcaktuara me ligj, rregullore tjetër në përputhje me ligjin ose me marrëveshje kolektive, dhe vetëm për vendet e punës ku ekzistojnë rreziqe më të mëdha të dëmeve ose çrregullimeve shëndetësore. Në këtë drejtim, duhet marrë parasysh edhe e drejta për të punuar me orar të shkurtuar pune që punëtorët mund ta përdorin në të ashtuquajturat “raste të veçanta” (paaftësia, ose rehabilitimi mjekësor në përputhje me rregulloret e sigurimeve sociale) dhe në të ashtuquajturat “kushte të veçanta” (për punë veçanërisht të rënda, të vështira dhe të dëmshme për shëndetin, ku ndikimi i dëmshëm mbi shëndetin nuk mund të eliminohet plotësisht me masa mbrojtëse). Në dy rastet e mëparshme puna me orar të shkurtuar konsiderohet si orar i plotë i punës dhe punëtori ka të drejtë të paguhet për punën dhe të ushtrojë të drejtat e tjera nga punësimi sikur të ishte duke punuar me orar të plotë pune.

Puna jashtë orarit të punës dhe puna shtesë në raste të aksidenteve natyrore dhe aksidenteve të tjera

Puna jashtë orarit të punës mund të përcaktohet si punë mbi orarin e plotë të punës e kryer nga punëtori me kërkesë të punëdhënësit.

Arsyet ose bazat ligjore për punë jashtë orarit të punës përcaktohen qartë në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, dhe ato janë:

  • Rritja e jashtëzakonshme e ngarkesës së punës;
  • Nevoja për të vazhduar procesin e biznesit ose procesin e prodhimit;
  • Nevoja për të hequr dëmtimin e mjeteve të punës që do të shkaktonte ndërprerjen e punës;
  • Nevoja për të garantuar sigurinë e njerëzve dhe pronës, si dhe sigurinë e xhiros;
  • Raste të tjera të përcaktuara me ligj ose me marrëveshje kolektive.

Kufizimi i kohëzgjatjes së punës jashtë orarit të punës mund të jetë në bazë javore, tremujore dhe vjetore. Kufizimi i punës jashtë orarit të punës brenda javës së punës është maksimum tetë orë punë. Për punë që për shkak të procesit specifik nuk mund të ndërpriten ose për të cilat nuk ka kushte dhe mundësi për të organizuar punën në ndërrime, puna shtesë mund të llogaritet edhe për periudhë tremujore. Përveç kësaj, brenda periudhës tremujore, orët shtesë jashtë orarit të punës mesatarisht nuk mund të kalojnë më shumë se tetë orë në javë. Për fund, puna shtesë jashtë orarit të punës kufizohet edhe në bazë vjetore dhe arrin maksimumin prej 190 orësh në vit, me përjashtim të aktiviteteve të caktuara ( si për shembull, për punëtorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme).

Ligji për punë përmban edhe dispozita të tjera që synojnë të rrisin trasparencën në futjen e punës shtesë jashtë orarit të punës me qëllim përfundimtar – mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë si dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Në këtë drejtim, punëdhënësi është i detyruar të mbajë evidencë të veçantë për punën shtesë jashtë orarit të punës dhe të specifikojë orët shtesë veçmas në llogaritjen mujore të pagës së punëtorit. Për çdo nevojë për punë shtesë jashtë orarit të punës, ai është i detyruar të njoftojë me shkrim inspektorin rajonal shtetëror të punës. Përveç kësaj, Ligji i punës parashikon ndalim absolut të punës jashtë orarit të punës për kategori të caktuara të punëtorëve (për shembull: punëtore gjatë shtatzanisë ose deri një vit pas lindjes, punëtorë nën moshën 18 vjeç,etj.) dhe një ndalim relativ që lejon punë shtesë jashtë  orarit të punës, vetëm me pëlqim me shkrim, të kategorive të tjera të punëtorëve (për shembull: punëtorë me fëmijë nga një deri në tre vjeç, punëtorë më të moshuar, etj.).

Mënyra e vetme për të kompensuar punëtorët që kanë punuar jashtë orarit të punës është kompensimi material i tyre përmes rritjes së pagës (shtesa e pagës), por jo edhe transformimi i punës shtesë jashtë orarit të punës në ditët e pushimit. Shuma e shtesës së pagës për punën jashtë orarit të punës përcaktohet me marrëveshje kolektive.

Në raste aksidenti natyror ose aksidenti tjetër, punëtori është i detyruar të kryejë punën jashtë orarit të plotë ose sipas kontratës me orar të shkurtuar pune në vendin e tij të punës ose punë tjera që kanë të bëjnë me eliminimin ose parandalimin e pasojave. Një punë e tillë mund të zgjasë për aq kohë sa është e nevojshme për të shpetuar jetën e njerëzve, për të mbrojtur shëndetin e njeriut ose për të parandaluar dëmet materiale të pariparueshme.

Organizimi i orarit të punës në Ligjin për punë në Republikën e Maqedonënisë së Veriut përbëhet nga “renditja” dhe  ” caktimi” i orarit të punës. Gjithashtu, Ligji për Marrëdhënie Pune mundëson organizimin e orarit të punës duke punuar në ndërrime, por edhe duke punuar gjatë orëve të natës.  

Renditja dhe caktimi i orarit të punës

Renditja e orarit të punës përfshin aspektet kryesore të organizimit të orarit të punës, dhe ato janë numri i ditëve të punës në javë dhe numri i orëve të punës brenda ditës.

Caktimi i orarit të punës i referohet fillimit dhe mbarimit të orëve të punës brenda ditës së punës.

Renditja e orarit të punës zakonisht përfshin një javë pune e cila me rregull zgjat pesë ditë pune. Renditja e orarit të plotë të punës mund të bëhet edhe në një periudhë më të gjatë se pesë ditë (por jo më shumë se gjashtë ditë pune), por edhe në një periudhë më pak se pesë ditë pune, gjegjësisht tetë ore punë gjatë ditës së punës. Në këtë rast, Ligji përcakton tre kufij shtesë: së pari, numri minimal i ditëve të punës në javë në të cilat mund të caktohet orar i plotë i punës dhe ky limit është katër ditë pune; së dyti, numri minimal i orëve të punës gjatë ditës së punës që punëtori mund të punojë me orar të plotë të punës, ku punëtori nuk mund të caktohet më pak se katër orë në ditë; dhe kufiri i tretë, i cili është një konfirmim i kufirit të sipërm të orarit të plotë të punës, që tregon se orari i plotë i punës nuk mund të zgjasë më shumë se dyzet orë në javë.

Renditja e orarit të punës është çështje teknike që shpreh të drejtën e punëdhënësit për të organizuar orarin e punës. Pra, punëdhënësi cakton orarin e punës, gjegjësisht e cakton fillimin dhe mbarimin e orarit të punës të punëtorit gjatë ditës së punës. Në rast të planifikimit të përkohshëm të orarit të punës, punëdhënësi është i detyruar të njoftojë punëtorin me shkrim të paktën një ditë më parë.

Nëse puna është e organizuar në ndërrime, Ligji për Marrëdhënie Pune përcakton detyrimin për të informuar organizatën sindikale me punëdhënësin para futjes së punës në ndërrime, pra para aplikimit të planit për organizimin e punës në ndërrime.

Puna e natës përfshin periudhën kohore midis 22:00 dhe 6:00 të ditës tjetër, dhe punëtorët që punojnë natën janë ata që kryejnë të paktën tre orë të punës së tyre ditore gjatë natës, pra punëtorët që natën kryejnë një të tretën e orarit të plotë të punës nga detyrimi vjetor i punës. 

Punëtorët të cilët punojnë natën kanë më shumë të drejta që synojnë mbrojtjen e shëndetit dhë sigurisë së tyre në punë. Të drejta të tilla janë: e drejta për pushim më të gjatë; ushqim i duhur; menaxhimi profesional i punës, përkatësisht procesi i prodhimit dhe ekzaminimet mjekësore para angazhimit të punëtorëve në punën e natës dhe në periudha të rregullta kohore të përcaktuara me ligj. Ligji për Marrëdhëniet e Punës gjithashtu u referohet kufizimeve shtesë në kryerjen e punës së natës, duke përfshirë: ndalimin e punës gjatë natës më shumë së tetë orë për punëtorët që gjenden në rrezik më të madh të lëndimeve ose dëmtimeve shëndetësore; ndalimi i caktimit të punëtorëve në punën e natës nëse punëdhënësi nuk siguron kushte për transport nga dhe deri në vendin e punës dhe detyrën për të siguruar ndërrime periodike të punëtorëve që punojnë natën.

Mundi im,
Të drejtat e mia
Share

Fushata për të drejtat e punëtorëve realizohet nga
Këshilli Ekonomik-Shoqëror me mbështetje nga Përforcimi I Dialogut Social.

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian, dhe zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.

partners1

Përmbajtja është përgjegjësi e projektit Përforcim I Dialogut Shoqëror,
  dhe nuk pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian

Share