Paga

Mundi im,
Të drejtat e mia

Paga

Punëtori ka të drejtë për të ardhura – paga sipas ligjit, marrëveshjes kolektive dhe kontratës së punës. Rregullimi i pagave nga rregulloret ligjore kufizohet në disa fusha siç janë: pagesa dhe shuma e pagës minimale (e përcaktuar tek Ligji për Pagë Minimale) dhe rregullat e përgjithshme për rregullimin e strukturës dhe përbërjes së pagave, si dhe kushtet dhe garancitë për pagimin e pagave (e përcaktuar tek ligji i punës). Burimi kryesor për negocimin e aspekteve të ndryshme të pagës së punëtorëve janë marrëveshjet kolektive, ndërsa kontratat e punës kanë rëndësi plotësuese. Edhe pse ligji i punës nuk i thekson qartë ato si burime ligjore që mund të rregullojnë pagat, në praktikë, pagat shpesh rregullohen nga Rregulloret ose Vendimet për pagat.

Sistemi dhe struktura për përcaktimin e pagesës së punëtorëve me marrëveshje kolektive zakonisht dalin nga Marrëveshjet e Përgjithshme Kolektive, të cilat krijojnë një formulë të unifikuar për përcaktimin e pagave, e cila ndiqet më tej nga Marrëveshjet Kolektive të Veçanta dhe Individuale. Sipas formulës, paga fitohet duke shumëzuar shumën e pagës më të ulët (e ashtuquajtura vlera e llogaritjes për koeficientin e njësisë), e cila përcaktohet nga një marrëveshje kolektive në nivelin e degës, përkatësisht departamentit, pra në nivelin e punëdhënësit, me koeficientin e ndërlikueshmërisë së vendit të punës ku punon punëtori, sipas kontratës së punës.

Ligji për Marrëdhëniet e Punës dhe Marrëveshjet Kolektive përcakton tre komponentë kryesorë prej të cilëve përbëhen pagat:  paga bazë, pjesa e pagës për performancën e punës dhe shtesat e pagës. Përveç tyre, komponentë të tjerë të rëndësishëm janë edhe: rimbursimet e kostove të lidhura me punën  dhe llojet e tjera të kompensimit. Komponentëve të cekur që përbëjnë përbërjen e pagave duhet shtuar kompensimet që paguhen për kohën gjatë të cilës punëtori mungon në punë në raste dhe kohëzgjatje të përcaktuara me ligj dhe marrëveshje kolektive (të ashtuquajturat “shtesa të rrogave”).

Paga bazë

Paga bazë (paga minimale bazë) është paga për të cilën punojnë punëtorët. Ajo është komponent kryesor në përbërjen e pagave të punëtorëve. Paga bazë përcaktohet duke marrë parasysh kërkesat e vendit të punës për të cilën punëtori ka lidhur kontratën e punës. Ajo korrespondon me kompleksitetin e detyrave të punës të kryera nga punëtori dhe zakonisht përcaktohet si rezultat i punës së rregullt të realizuar për orar pune të plotë dhe performancë normale të punës.

Pjesa e pagës për performancën e punës

Performanca e punës përbëhet nga ajo pjesë e pagës së punëtorit që përbëhet nga shpërblimi stimulues për punëtorin për shkak të rritjes së kontributit dhe angazhimit individual, pra për rezultate më të mëdha të arritura në punë. Kriteret për përcaktimin e pjesës së pagës për performancën e punës që përcaktohen me ligj janë: marrëdhënia shtëpiake, cilësia dhe vëllimi i punës për të cilën punëtori ka lidhur kontratën e punës. Këto kritere mund të zgjerohen me një marrëveshje kolektive, akt të punëdhënësit ose një kontratë pune.

Shtesat e pagës

Shtesat e pagave janë përfitime në të holla që rrisin pagën bazë të punëtorit për shkak të punës në kushte të veçanta (më të vështira) pra kushte të ndryshme nga kushtet normale të punës.

Ligji për punë dhe marrëveshjet kolektive parashikojnë shtesa të pagës së punëtorëve për kushte të veçanta të punës, që dalin jashtë orarit të punës. Marrëveshjet e përgjithshme kolektive përcaktojnë shumat minimale të shtesave të pagave për një përqindje të caktuar të llogaritur sipas orëve në rastet në vijim: për punë jashtë orarit – 35%; për punë në orët e natës –35%; për punë në tre ndërrime – 5%; për punë në dite pushimi javor -50%;  dhe për punë në ditët e festave dhe ditë jo pune të përcaktuara me ligj – në vlerë të pagës së rregullt ditore/për orë dhe mëditje të punëtorit, dhe për orë për orët e kaluara në punë  e rritur për 50%.. Me marrëveshjet kolektive individuale dhe të veçanta, shuma më të favorshme mund të përcaktohen për pagesën e shtesave të rrogës të parashikuara nga KPK (Kontrata e Përgjishme Kolektive), dhe mund të sigurohen edhe shtesa të tjera të rrogave. Përveç shtesave të lartëpërmendura, LMP (Ligji për Marrëdhënie Pune) dhe marrëveshjet kolektive parashikojnë shtesën për përvojën e punës në shumën prej 0,5% të pagës bazë për çdo vit përvojë pune. Shtesat e pagave (pra rritja e pagës bazë) mund tu paguhen punëtorëve edhe në ato raste kur puna kryhet në kushte më të vështira se normalet (për shembull: kur punëtori është i ekspozuar ndaj ndikimeve jo të favorshme të mjedisit, kur punëtori përdor pajisje mbrojtëse për punë, kur punëtori ekspozohet ndaj rreziqeve të veçanta, etj.)

Rimbursimet e shpenzimeve lidhur me punën

Rimbursimet e shpenzimeve të lidhura me punën zakonisht paguhen në rastet në vijim:  për udhëtime zyrtare brenda vendit; për udhëtime zyrtare jashtë vendit; për shtesa në terren; për kompensim për jeten e ndarë nga familja; për koston e përdorimit të automjetit personal për shërbimet e punëdhënësit. Shtesa të konsiderueshme që mund të përfshihen në këtë grup janë gjithashtu shtesat për ushqim dhe shpenzimet e udhëtimit. Në parim, marrëveshjet kolektive u japin punëdhënësve mundësinë për të paguar këto përfitime në natyrë (duke organizuar ushqim në vendin e punës dhe transportin e organizuar për ne punë dhe nga puna) ose me të holla. Shumat sipas të cilave llogariten dhe paguhen shpenzimet lidhur me punën rregullohen me marrëveshje kolektive, dhe si bazë për llogaritjen dhe pagesën e tyre merret paga mesatare mujore neto në vend,e paguar në tre muajt e fundit.

Lloje të tjera të shtesave

Shtesat që i përkasin këtij grupi janë të ndryshme sipas natyës së tyre. Një pjesë e tyre trajtohen si ndihmë për punëtorin ose për anëtarët e familjes së tij. Të tilla janë shtesat e paguara në rastet siç janë: pushim i vazhdueshëm mjekësor për më shumë se 6 muaj për shkak të dëmtimit në punë dhe sëmundjes profesionale; në rast të vdekjes së punëtorit; në rast të vdekjes së një anëtari të familjes së punëtorit, me të cilin punëtori jeton në të njëjtën bashkësi familjare dhe në rast të pasojave të rënda të katastrofave natyrore. Pjesa tjetër e shtesave të tjera mund të trajtohet si shtesa që lidhen me kohëzgjatjen e shërbimit të punëtorit ndaj punëdhënësit.Të tilla janë shtesat e paguara në rastet e çmimit jubilar dhe daljes në pension. Pjesa e tretë e shtesave të tjera mund të trajtohet si përfitime të paguara për raste të caktuara ose në periudha të caktuara të vitit , në të cilat konsiderohet se punëtorët kanë rritur koston e konsumit. Shtesa më e rendësishme në këtë pjesë është i  ashtuquajturi regresi i pushimit vjetor. Regresi paguhet një herë në vit për ditët që punëtori kalon në pushim vjetor dhe zakonisht në shumën minimale 40% të bazës. Përveç regresit për pushim vjetor, marrëveshjet kolektive zakonisht parashikojnë edhe pagesa të ashtuquajtura pagesa shtesë të vitit të ri.

Kompensimi për mungesë me pagesë nga punë (shtesat e rrogës)

Shtesat e rrogës paguhen për periudhën kohore (ditët,orët) për të cilën punëtori përdor pushimin me pagesë në përputhje me ligjin, marrëveshjen kolektive ose kontratën e punës. Punëtorët kanë të drejtë për kompensim page në rastet e mëposhtme: për pushim mjekësor, ose paaftësi e përkohshme për punë (sipas MPK,  për pushim mjekësor deri në 15 ditë në shumën prej 70%, dhe mbi 15 ditë, duke filluar nga dita e parë e pushimit mjekësor, deri në 30 ditë në shumën 90% të rrogës bazë dhe në barrë të punëdhënësit, ndërsa kompensimi i pagës mbi 30 ditë paguhet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore) për ditët e përdorimit të pushimit vjetor (në vlerën e bazës); gjatë ditëve të pushimit me kohë pjesërisht të paguar, për shembull, pushim me pagesë për shkak të rrethanave personale dhe familjare deri në 7 ditë pune gjatë vitit (në vlerën e bazës); për festa dhe ditë jopune të përcaktuara me ligj ose rregullore tjetër dhe për ditë të lira nga puna( në vlerën e bazës);  për arsimim dhe aftësim profesional sipas nevojave të punëdhënësit (në vlerën e bazës), etj.

Baza për llogaritjen e kompensimit të rrogës ne rastet e mëparshme është rroga mesatare e punëtorit nga 12 muajt e fundit. Marrëveshjet kolektive parashikojnë llogaritjen dhe pagesën e kompensimit të pagës në raste të tjera, siç janë: ndërprerja e procesit të punës për arsye të punëdhënësit, greva, etj.

Llogaritja me shkrim e rrogës në Republikën e Maqedonisë së Veriut paraqet detyrim të punëdhënësve që rregullohet tek Ligji për Marrëdhëniet e Punës.

Punëdhënësit e kanë për detyrë punëtorëve t’u japin llogari me shkrim për çdo pagesë të rrogave (zakonisht një herë në muaj) si dhe deri më 31 janar të vitit të ri kalendarik (një herë në vit,për vitin e kaluar kalendarik).

Llogaritja me shkrim e rrogës duhet të paraqesë llogaritjen dhe pagesën e taksave dhe kontributeve për periudhën e pagesës.

Përmes llogaritjes me shkrim të rrogave, punëtorët mund të bëjnë dallimin midis rrogave të tyre „bruto“ dhe „neto“.

Rroga Bruto

Rroga Bruto është rroga totale që punëtori merr nga marrëdhënia e punës. Sidoqoftë, ai nuk mund ta fusë rrogën bruto ,,në xhep” si të tillë. Në fakt, ajo përbëhet nga rroga në shumën totale redaktuar për shumën totale të kontributeve të sigurimit social dhe tatimin mbi të ardhurat.

Shuma totale e kontributeve të sigurimit social përfshin kontributet për: sigurimin pensional dhe të invaliditetit – PDIF, në shumën prej 18,8% të bazës; sigurimi i detyrueshëm shëndetësor – FSHF, në shumën prej 7.5% të bazës; kontributi shtesë për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor në rast të lëndimit në punë dhe sëmundjes profesionale, në shumën prej 0,5% të bazës, dhe kontributi i detyrueshëm për sigurim në rast papunësie – ESA, në shumën prej 1,2% të bazës.

Baza për llogaritjen e kontributeve për sigurimin e detyrueshëm social është rroga në shumën totale (rroga, shtesat e rrogës, dhe pagesa bazuar në suksesin e biznesit të punëdhënësit). Pasi të jenë paguar kontributet për sigurimin e detyrueshëm social, dhe pasi të llogaritet lirimi personal nga tatimi i përcaktuar në shumën mujore në përputhje me rregulloret tatimore, fitohet baza për llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga puna në vlerë prej 10 %.  

Pra, rroga bruto përbëhet nga tre pjesë, dhe atë: pjesa e rrogës që hyn në pagesën e kontributeve të sigurimit social (28,00 %); pjesa e rrogës që hyn në pagesën e tatimit mbi të ardhurat nga puna (10 %) dhe pjesa tjetër e rrogës që i paguhet të punësuarit (rroga neto).

Rroga Neto

Rroga Neto mund të zbritet nga rroga bruto. Rroga neto është rrogë në shumën totale, e zbritur nga shuma totale e kontributeve të detyrueshme të sigurimit social dhe shuma e tatimit mbi të ardhurat personale.

Në praktikë, rroga neto nënkupton shumën totale të të gjitha kërkesave monetare që punëtori ka ose ka fituar në një periudhë të caktuar të paguar si rezultat i punës së tij, ose punës së kryer, ku bëjnë pjesë: rroga bazë, performanca e punës (nëse është realizuar), shtesat e rrogës ( nëse realizohen), kompensimin e rrogës (nëse ka), kompensimet e mbetura materiale të kostove lidhur me me punën e punëtorit dhe të ngjajshme.

Ndalesa dhe shlyerja e pagesës së rrogës

Ndalesat dhe shlyerjet e pagesës së rrogës mund të përcaktohen si zbritje të caktuara nga rroga e punëtorit e bërë nga punëdhënësi konform ligjit. Këtu nuk bëhet fjalë për zbritje të llojit të kontributeve ose tatimeve, por për detyrime të caktuara të punëtorit që para së gjithash kanë karakter debitor – kreditor.

Punëdhënësi mund ta ndalojë pagesën e rrogës së punëtorit vetëm në raste të specifikuara me ligj (për shembull, nëse rroga e punëtorit i nënshtrohet zbatimit nga përmbaruesi në bazë të një dokumenti përmbarimi, por jo më shumë se 1/3 e rrogës ose në rastin kur punëtori vullnetarisht autorizon punëdhënësin të mbajë një pjesë të rrogës së tij për shkak të pagesës së një kësti kreditor, anëtarësisë sindikale ose të ngjajshme).

Nga ana tjetër, punëdhënësi nuk guxon t’i ulë kërkesat e tij ndaj punëtorit përmes detyrimit të tij për të paguar rrogat. Kërkesat e punëdhënësit për punëtorin (për shembull, për shkak të dëmit që ka bërë punëtori në punë ose në lidhje me punën) nuk guxojnë të kompensohen nga rroga e punëtorit. Një ulje e tillë e rrogës është e mundur vetëm në rastet kur punëtori ka dhënë pëlqim me shkrim.

Mundi im,
Të drejtat e mia
Share

Fushata për të drejtat e punëtorëve realizohet nga
Këshilli Ekonomik-Shoqëror me mbështetje nga Përforcimi I Dialogut Social.

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian, dhe zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.

partners1

Përmbajtja është përgjegjësi e projektit Përforcim I Dialogut Shoqëror,
  dhe nuk pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian

Share