Kontrata e punës

Mundi im,
Të drejtat e mia

Kontrata e punës

Kontrata e punës është bazë ligjore për punësim. Ajo është kontratë formale e lidhur me shkrim. Ruhet në ambientet e punës në selinë e punëdhënësit dhe një kopje e kontratës i jepet punëtorit në ditën e nënshkrimit të saj.

Kontrata e punës përmban të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë reciproke të të dy palëve kontraktuese. Të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e përcaktuara janë në përputhje me ato që përcakton Ligji për Marrëdhënie Pune dhe marrëveshjet kolektive. Kontrata e punës nuk mund të përmbajë dispozita më pak të favorshme për të drejtat dhe obligimet e punëtorëve, nga ato që përcakton ligji ose marrëveshjet kolektive.

Përmbajtja e kontratës së punës përcaktohet në Ligjin për Marrëdhënie Pune (neni 28). Ndër dispozitat e tjera, kontrata e punës duhet të përmbajë edhe:

Titulli i punës (me një përshkrim të shkurtër të punës që punëtori do të kryejë sipas kontratës së punës);

Kohëzgjatja e punësimit (kur lidhet një kontratë me kohë të caktuar);

Orari i rregullt ditor ose javor i punës dhe caktimi i orarit të punës;

Shuma e rrogës bazë (e shprehur në shumën monetare që i takon punëtorit për kryerjen e punës sipas ligjit,marrëveshjes kolektive si dhe kontratës së punës);

Të ardhura të tjera që i përkasin punëtorit për kryerjen e punës sipas ligjit dhe marrëveshjes kolektive;

Pushimi vjetor, përkatësisht mënyra e përcaktimit të pushimit vjetor.

Kontrata e punës mund të parashikojë dhe çështje të tjera, të cilat nuk janë të përcaktuara në Ligjin për Marrëdhënie Pune, por që nuk devijojnë nga të drejtat e përgjithshme të përcaktuara në këtë ligj dhe në marrëveshjet kolektive.

Ndryshim në kontratën e punës (p.sh. Ndryshim në kushtet e kontratës së punës) mund të propozohet nga i punësuari ose punëdhënësi. Një ndryshim i tillë mund të bëhet vetëm nëse të dy palët bien dakord mbi ndryshimin e propozuar të kushteve dhe për këtë hartojnë “ aneks të kontratës së punës”. Ndryshimi (aneksi) në kontratën e punës parandalon që punëdhënësi të ndryshojë në mënyrë të njëanshme (pa pëlqimin e të punësuarit) vendin e punës ose ndonjë kusht tjetër thelbësor në kontratën e punës së të punësuarit (për shembull, ulja e rrogës, ndryshimi i vendit të punës ose ndryshimi i orarit të punës nga orar i plotë në gjysëm orar dhe anasjelltas. Në praktikë, shpeshherë, ndryshimi i kushteve të kontratës së punës vjen si rezultat i heqjes të vendit të punës ose zvogëlimit të vëllimit të punës nga punëdhënësi. Ndryshime të tilla e detyrojnë punëtorin të zgjedhë mes “pranimit të kushteve të ndryshuara nga punëdhënësi që zakonisht çojnë në uljen e rrogës” ose “humbjen e vendit të tij të punës”. Nëse punëtori pranon kushtet e ndryshuara, atëherë kontrata e ndryshuar zëvendëson kontratën ekzistuese të punës dhe nuk ka asgjë të kontestueshme midis dy palëve kontraktuese.

Por, nëse punëtori refuzon të lidhë aneks të kontratës që ndryshon kontratën ekzistuese të punës, punëdhënësi mund të arrijë qëllimin e tij vetëm duke i ofruar punëtorit “përfundimin e kontratës së punës duke ofruar një kontratë të re të ndryshuar. Në këtë rast, ”përfundimi i kontratës së punës me ofertën e një kontrate të re të ndryshuar” njëkohësisht anulon kontratën ekzistuese të punës, përmes së cilës, punëtorit i ofrohet të lidhë një kontratë pune në kushte të ndryshuara. Të dy pjesët (përfundimi i kontratës së punës dhe oferta e kontratës së re dhe/ose të ndyshuar) duhet të jenë të ndërlidhura dhe të jenë pjesë integrale e të njëjtit akt ”përfundimi dhe oferta e një kontrate të re dhe të ndryshuar”. Punëdhënësi duhet të ketë arsye të bazuar për pushimin nga puna, pavarësisht nga oferta e një kontrate të re pune të ndryshuar,ndërsa punëtori duhet te deklarojë kontratën e re të ndryshuar brenda 15 ditëve nga dita e marrjes së ofertës. Sipas ligjit për punë të Maqedonisë, pushimi nga puna me ofertën e një kontrate të re të ndryshuar mund të ketë dy rezultate të ndryshme: pranimin dhe mospranimin e ofertës për kontratën e re të ndryshuar të punës.

Kontrata e punës me afat të caktuar

Kontrata e punës me afat të caktuar është një kontratë pune kohëzgjatja e së cilës është e caktuar paraprakisht. Afati për të cilin krijohen kontratat e punës në afat të caktuar, mund të specifikohet sipas kalendarit (për shembull, kontrata lidhet për një periudhë të caktuar 3 mujore, ose kontrata skadon më 10.6.2017), pastaj, duke përmbushur një kusht të caktuar ose kryerjen e një pune (për shembull, punë në projekt) dhe me ndodhjen e një ngjarjeje të caktuar (për shembull, kthimi në punë I të punësuarit i cili përkohësisht ka munguar për shkaqe shëndetësore, për shkak të amësisë, prindërisë etj.) Në ligjin e Maqedonisë për punë, kufizimi i kohëzgjatjes maksimale për punësim me kohë të caktuar është 5 vjet dhe përfshin kryerjen e aktiviteteve të njëjta, me ose pa ndërprerje. Numri i kontratave të njëpasnjëshme të punës me kohë të caktuar nuk është i kufizuar. Kjo do të thotë që punëdhënësi, për kryerjen e punëve të njëjta (d.m.th. punë që i përkasin të njëtit grup ose kategori të vendeve të punës) mund të lidhë një ose më shumë kontrata për punë me kohë të caktuar me punëtorin midis të cilave, mund të ketë ose jo ndërprerje. Nëse punëtori vazhdon të punojë punët e njëjta pas skadimit të periudhës maksimale për kufizimin e kohëzgjatjes së kontratës së punës, atëherë punësimi i tij shndërrohet (transformohet) nga punësim me kohë të caktuar, në punësim me kohë të pacaktuar. Punëtorët në punë me afat të caktuar, në lligjin e Maqedonisë për punë, bazuar në “parimin e trajtimit të barabartë”, kanë të njëtat kushte si punëtorët me afat të pacaktuar. Kjo do të thotë që, punëtorët me afat të caktuar, pavarësisht nga kohëzgjatja e punësimit të tyre, gëzojnë të drejta identike si punëtorët me afat të pacaktuar, siç janë: e drejta e rrogës, mbrojtja e sigurisë dhe shëndetit në punë, orar i caktuar pune, pushimi, pushimi ditor, pushimi javor, mbrojtje nga pushimi nga puna, të drejtat e sigurimit social e të tjera.

Puna sezonale

Në ligjin e Maqedonisë për punë, puna sezonale nënkupton punën që nuk kryhet gjatë tërë vitit, por në periudha të caktuara – sezone që zgjasin maksimum deri në tetë muaj, në një periudhë kohore prej 12 muajsh radhazi. Ngjajhëm me rishpërndarjen e orarit të punës, punëtorët sezonal në një periudhë të caktuar të punës sezonale mund të punojnë mbi orarin e plotë (mbi 40 orë pune), dhe ato orë  mund të llogariten si ditë pune shtesë në sigurimin e tyre, ose të kompenzohen me orare pune më të shkurtra në pjesën tjetër të periudhës së punës sezonale. Sidoqoftë, Ligji për Marrëdhënie Pune përcakton një kufi të sipërm për kohëzgjatjen maksimale të orarit të punës të një punëtori sezonal, i cili nuk guxon të jetë mbi 12 orë në ditë ose 55 orë në javë dhë për një periudhë jo më të gjatë se 4 muaj.

Punësimi i përkohshëm përmes agjencisë

Punësimi i përkohshëm përmes agjencisë është një formë atipike e punësimit, e cila rregullohet tek Ligji për Agjencitë Private për Punësim. Kjo presupozon ekzistencën e një marrëdhënieje juridike trepalëshe midis: Agjencisë Private për Punësim me licencë për punësim të përkohshëm (agjencia); punëtorit të përkohshëm të agjencisë (punëtori) dhe punëdhënësit. Marrëdhënia juridike trepalëshe midis palëve për punësim të përkohshëm përmes agjencisë, rregullohet me dy marrëveshje zyrtare: Kontrata e punës (e lidhur midis Agjencisë dhe punëtorit) dhe Kontrata për transferim të punëtorit (që lidhet midis Agjencisë dhe Punëdhënësit). Puna për të cilën punëtori mund të transferohet tek punëdhënësi duhët të ketë një “natyrë të përkohshme” dhe të përfshijë arsyet saktësisht të përcaktuara me ligj, ndërsa, afati për kufizimin e transferimit të punëtorit nga punëdhënësi mund të zgjasë për aq kohë sa zgjat nevoja për punën e tij, por jo më shumë se dy vjet, me ose pa ndërprerje. Të drejtat e punëtorëve të përkohshëm të agjencisë janë të barabarta me të gjitha të drejtat e punëtorëve që janë punësuar drejtpërdrejt nga punëdhënësi, pa ndërmjetësim të agjencisë. Të drejta të tilla janë: rroga dhe përfitimet e tjera materiale lidhur me punën, kontributet nga rroga për sigurimin e detyrueshëm social (të cilat paguhen nga ana e agjencisë, edhe në rast kur punëtori transferohet tek punëdhënësi në kohëzgjatje për një ditë), orari i punës, pushimet vjetore, mungesat e të tjera.

Kontrata e punës me orar jo të plotë

Ligji për marrëdhënie pune me orar jo të plotë parashikon punë me orar kohor që është më pak se orari i plotë. Kjo do të thotë që punësimi me orar jo të plotë mund të bazohet pavarësisht nga kohëzgjatja e përkufizuar në kontratën e punës (e pacaktuar ose e caktuar), si dhe pavarësisht nga diapazoni javor i orëve të punës, i cili duhet të jetë më i shkurtër se orari i përcaktuar për orar të plotë pune (1-39 orë pune). Në kontratën e punës me orar jo të plotë pune duhet të theksohet fillimi dhe mbarimi i orarit ditor, dhe punëdhënësi duhet të mbajë evidencë të posaçme për të punësuarit me orar jo të plotë. Punëtorët me orar jo të plotë i kanë kushtet e njejta për punë dhe të drejta të barabarta punësimi me punëtorët me orar të plotë. Sidoqoftë, për shkak të orarit më të shkurtër të punës, punëtorët me orar jo të plotë, disa të drejta të caktuara mund t’i ushtrojnë në një masë më të vogël sesa punëtorët me orar të plotë. Ky parim quhet “parim i proporcionalitetit” dhe përfshin të drejtat “materiale” të punësimit (rroga, shtesat e rrogës, pagesat e shkëputjes nga puna, etj), por gjithashtu edhe një pjesë nga të drejtat “jomateriale” (për shembull, e drejta për pushim vjetor, e cila, për punëtorët me orar jo të plotë është të paktën 10 ditë pune).

Ligji për Marrëdhëniet e Punës gjithashtu parashikon dhe formën e punës me orar jo të plotë me më shumë punëdhënës. Kjo do të thotë që punëtori mund të lidhë dy ose më shumë kontrata pune me dy ose më shumë punëdhënës, ku fondi i orëve të punës nga të gjithë punëdhënësit (në mënyrë kumulative) nuk duhet të tejkalojë orarin “normal” të orarit të punës, që është sasia e orarit të plotë me maksimum 40 orë pune në javë.

Së fundmi, ligji i punës rregullon të ashtuquajturën “Punë shtesë”, si formë e punës për të cilën lidhet një kontratë pune me orar jo të plotë me një punëdhënës tjetër, i ndryshëm nga punëdhënësi/at ku punëtori është i punësuar me orar të plotë pune. Puna shtesë është e kufizuar në një maksimum prej dhjetë orësh në javë dhe kjo i nënshtrohet pëlqimit paraprak të punëdhënësve ku punëtori është i punësuar me orar të plotë.

Kontrata e punës për punë nga shtëpia

Sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, punë nga shtëpia konsiderohet puna të cilën punëtori e kyen në shtëpinë e tij ose në ambientet e zgjedhura nga ai vetë, të cilat janë jashtë ambienteve të biznesit të punëdhënësit. Kontratat e punës me punë nga shtëpia kryesisht përfshijnë aktivitetet dhe detyrat e punës rreth përpunimit të produkteve të caktuara (për shembull, qepja e një sasie të caktuar të produkteve tekstile ne një makinë qepëse ose prerja e një sasie të caktuar druri ne një makinë prerëse druri, etj.) ose shërbime (për shembull, përkthimi i një numri të caktuar faqesh teksti në një gjuhë të huaj, etj.) sesa aktivitetet e punës dhe detyrat në lidhje me zbatimin e teknologjive bashkëkohore të informacionit dhe komunikimit në procesin e zakonshëm të punës. Sidoqoftë, sipas ligjit ekzistues të punës, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore që punëtori jashtë vendit të punës (p.sh. nga shtëpia) të kryejë detyrat dhe të punojë duke përdorur teknologjitë informatike. Punëdhënësi është i detyruar ta paraqesë kontratën e punës për punë nga shtëpia tek inspektori i punës brenda tre ditëve nga dita e lidhjes së kontratës.

Mundi im,
Të drejtat e mia
Share

Fushata për të drejtat e punëtorëve realizohet nga
Këshilli Ekonomik-Shoqëror me mbështetje nga Përforcimi I Dialogut Social.

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian, dhe zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.

partners1

Përmbajtja është përgjegjësi e projektit Përforcim I Dialogut Shoqëror,
  dhe nuk pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian

Share